Durrës, Maj 2026 – Anëtarët e Odës së Përmbaruesve Privatë të Kosovës (OPPK) dhe përfaqësuesit më të lartë nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë të Shqipërisë (DHKPGJP) kanë zhvilluar një takim të përbashkët në punëtorinë e organizuar nga OPPK në Durrës - Shqipëri. Ky takim i nivelit të lartë shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave mes përmbaruesve të dy vendeve mike, me synim rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen dhe fuqizimin e mëtejshëm të raporteve ndërshtetërore.
Delegacioni nga Shqipëria u kryesua nga kryetari i DHKPGJP-së, z. Tedi Malaveci, i cili së bashku me përfaqësuesit e OPPK-së, vuri theksin tek rëndësia e koordinimit të përbashkët ligjor dhe praktik.
Unifikimi i procedurave dhe sfidat praktike në fokus
Në qendër të diskutimeve të kësaj punëtorie ishte unifikimi i procedurave përmbarimore, trajtimi i sfidave praktike me të cilat përballen organet përmbaruese në terren, si dhe shkëmbimi i përvojave më të mira institucionale. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve vlerësuan se rritja e efikasitetit në ekzekutimin e vendimeve kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë juridike dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe Shqipëri.
Përmes këtij aktiviteti, palët rikonfirmuan vullnetin për të ndërtuar një urë të qëndrueshme bashkëpunimi, duke harmonizuar hapat e mëtutjeshëm në modernizimin e sistemit të përmbarimit.
Nderohet z. Zija Bala me rastin e pensionimit
Përtej diskutimeve profesionale, kjo punëtori shërbeu edhe si një moment i veçantë dhe solemn për të nderuar anëtarin e Odës së Kosovës, z. Zija Bala, me rastin e pensionimit të tij.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar, profesionalizmin e lartë dhe integritetin e treguar përgjatë viteve në sistemin e përmbarimit, Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës z. Mehdi Reshani, në emër të anëtarëve të Odës indau një mirënjohje të veçantë për z. Bala.
Kolegët e të dyja vendeve çmuan lart veprimtarinë e tij profesionale, duke e konsideruar një shembull të përkushtimit në detyrë. Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës i uron përzemërsisht z. Bala shëndet, jetë të gjatë dhe mbarësi në këtë kapitull të ri të jetës së tij!